TIRANE- Në krah të Kosovës Shqipëria lobon në vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të votuar kundër pr/rezolutës serbe e cila do të paraqitet në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB më 9 shtator.
Presidenti shqiptar Bamir Topi u ka dërguar sot një mesazh të gjithë Kryetarëve të Shteteve, anëtare të OKB-së ku nënvizon mos përkrahjen e rezolutës së Beogradit.
Në mesazhin e kreut të lartë të shtetit shqiptar rezoluta cilësohet “si e njëanshme, një përçapje që cënon mandatin e GJND-së dhe autoritetin e OKB-së, si edhe ndikon negativisht mbi paqen e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në të ardhmen evropiane të vetë Serbisë.”- thuhet në njoftimin për shtyp të publikuar nga zyra e shtypit e presidencës shqiptare.
Ndër të tjera Presidenti Topi nënvizon në mesazh “rëndësinë e përkrahjes së pavarësisë së Kosovës dhe domosdoshmërinë e njohjes së saj nga vende të tjera, si vendimi i duhur pas mendimit këshillimor, qartësisht të nënvizuar, të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më 22 korrik 2010, mbi pavarësinë e Kosovës, që e cilësoi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës si të ligjshme e në mbështetje të së Drejtës Ndërkombëtare.”
BETEJA E VOTAVE
Kosova nuk ka të drejtën që të jetë e përfaqësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pasi nuk është bërë anëtare e
saj. Shqipëria do të jetë një nga shtetet që do të kundërshtojë fuqishëm rezolutën serbe të paraqitur në OKB.
Kundër kësaj rezolute janë SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania të cilat kanë ndërmarrë një presion diplomatik ndaj Serbisë që kjo e fundit të tërheqë pr/rezolutën.
Nga 192 vendet anëtare të OKB-së, Kosova njihet si shtet i pavarur nga 69 shtete. Këto ditë mediat e huaja shkruajnë se SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe dhe Arabia Saudite kanë marrë premtimin e 65 vendeve se do të votojnë kundër kësaj rezolute. Ndërkaq Serbia ka arritur të marrë mbështetjen e 50 shteteve, të cilat kanë premtuar se do ta votojnë rezolutën serbe. Nga ana tjetër, një numër i madh vendesh kanë bërë të ditur se nuk do ta votojnë rezolutën, por as nuk do të jenë kundër.
Duke pas parasysh pesë vendet e BE-së dhe faktin se secesionin e Kosovës deri tani e kanë njohur 69 nga 192 anëtaret e OKB-së, sipas “Danas” nuk ekziston mundësia që në AP të fitojë shumicën e votave asnjë dokument me të cilin do të përshëndetej pavarësia e Kosovës.
(Suela Gera/balkanweb)