05 Shtator 2010 – 16:10
TIRANE- Aeroporti ndërkombëtar i Rinasit në Tiranë është përfshirë edhe sot nga kaosi, pas problemeve të krijuara nga kompania “Italia Airlines”. Pasi anuloi fluturimet e ditës së premte dhe të shtunë duke lënë pasagjerët në pritje më shumë se tri orë, e njëjta kompani edhe sot vendosi pezullimin e fluturimeve dhe madje ka shkuar më tej duke ndërprerë çdo linjë komunikimi me Drejtorinë e Aviacionit Civil. Pasagjerë të irrituar nga vonesat dhe pritja në aeroport, kanë kërkuar sqarime në lidhje me incidentin, por askush nuk ka mundur t’u japë shpjegime. Drejtoria e Aviacionit Civil ka bërë përpjekje për të hyrë në kontakt, por ka qenë e pamundur.
Në një komunikim për mediat drejtori i Aviacionit Civil Ervin Mazniku komunikoi pezullimin e përkohshëm të fluturimeve të kësaj kompanie pas kaosit të krijuar në Rinas. Sipas tij, mosdhënia e sqarimeve nga ana e kompanisë, krijon një situatë të paprecedentë.
“Shpreh shqetësimin tim personal dhe të autoritetit që drejtoj për situatën e krijuar në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, me pasagjerët të cilët kanë mbetur të patransportuar nga kompania italiane “Italia Airlines”. Kjo kompani duhet të zbatojë të gjitha detyrimet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me mbrojtjen e pasagjerëve dhe me respektimin e kontratës me pasagjerët. Nuk kemi asnjë lloj komunikimi zyrtar nga ana e kompanisë. Në rast se kompania do të kishte probleme teknike, ajo duhet të bënte njoftim me shkrim në radhë të parë dhe në radhë të dytë të bënte një kërkesë për mbrojtjen e pasagjerëve nëpërmjet një operatori tjetër ajror. Në kushtet e një situate të jashtëzakonshme, të paprecedentë jemi të detyruar të pezullojmë operimin e kompanisë italiane, deri në një moment të dytë, deri në sqarim me kompaninë”- sqaron drejtori i Aviaciont Civil.
Sipas tij Autoriteti i Aviacionit Civil ka nisur kontaktet me ambasadën italiane ashtu sikundër me Entin Kombëtar të Aviacionit Civil Italian, për ti dhënë një zgjidhje kësaj situate. Mazniku sqaron se: “Jemi në kontakte mjaft të shpeshta me tan ë funksion të zbardhjes së situatës. Në funksion të ruajtjes s standarteve të aviacionit civil dhe në funksion të stabilizimit të situatës, jemi të detyruar të pezullojmë fluturimet e “Italia Airlines”.
(m.a/BalkanWeb)